Orges Shehi i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë te Tirana. Bardheblutë po luajnë një kampionat më vete dhe kanë fituar edhe respektin e kundërshtarëve për vetë mënyrën sesi po imponohen në Superiore. Ajo që duhet thënë është se as tifozi më i çmendur nuk e priste që Tirana e Shehit të kalonte atë të Egbo. Duke parë sesi po arriheshin rezultatet në atë sezon, u krijua përshtypja se do të duheshin vite e vite me radhë që bardheblutë të ktheheshin në të njëjtin hap.
Por deri tani, ekipi i Shehit jo vetëm që e ka arritur, por ka bërë edhe më mirë. Në 27 ndeshjet e para të kampionatit të Tiranës kampione të Egbo, ekipi kishte grumbulluar 56 pikë në total, ndërsa sot numëron 60 pikë. Sa i përket rivalëve më të afërt janë thuajse në panoramën identike, ndryshojnë vetëm emrat. Vendi i dytë do t’i përkiste Kukësit me 47 pikë në sezonin 2019-2020, ndërsa sot i përket Laçit me 46 pikë. Vendi i tretë do t’i përkiste Skënderbeut në sezonin 2019-2020 me 44 pikë, ndërsa sot i përket Kukësit me 44 pikë. /Sport Ekspres/