“Vetëm të jesh budalla“, Plori nuk e kupton veprimin e arbitrit: Vijmë nga një moment kur ambienti zien, por ta shohësh në VAR dhe të mos e japësh…

Sfida e luajtur në “Elbasan Arena” ka përfunduar me shifrat 0-0. Pjesa e parë ka qenë e ftohtë dhe pa raste, ndërsa e njëjta gjë nuk vlen për fraksionin e dytë të ndeshjes. Në 45 minutat e dyta skuadrat janë futur me tjetër ritëm, ku në të dy krahët kanë pasur shanset e tyre për të ndryshuar fatin e ndeshjes.

Në sekondat e fundit të minutave shtesë Aralica mposht Alban Hoxhën, i cili pavarësisht devijimit nuk mund ta shmangë golin. Në kampin shkodran nis menjëherë festa, por që shpejt i lë vendin ankthit dhe nervozismit. Gjyqtari i takimit shkon të shohë pamjet në VAR, duke ndryshuar më pas vendimin e tij dhe anullon golin.

Kaq ka mjaftuar që të shpërthejë tensioni, teksa sapo është dëgjuar vërshëllima përfundimtare lojtarët e Vllaznisë kanë rrethuar menjëherë gjyqtarin. Madje është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të larguar trupën gjykuese nga fusha. Në këto kushte, do të jetë gjysmëfinalja e dytë në “Loro Boriçi” ajo që do të vendosë gjithçka sa i përket ekipit që do i shkojë deri në fund kompeticionit të Kupës së Shqipërisë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli“ në “Supersport“.

Plori (Vllaznia): “E pashë dhe njëherë në përsëritje. E çuditshme është vetëm fakti se diskutohet shumë në studio që ne nuk bëjmë mirë që flasim për arbitrat. Por në këto raste duhet të flaim se kemi gjithë investimin aty. Në rregull, mund të mos e japësh, por të shkosh ta shikosh dhe pastaj të mos e japësh vetëm të jesh budalla. Vijmë nga një moment i keq, pas një humbje me Egnatiën dhe ambienti zien. Të shkosh ta shohësh dhe më pas ta anullosh kjo më duket e çuditshme. Duhet të gjej forcë te ky gabim i arbitrit dhe të motivoj skuadrën“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *