Nga Klaudio Ndreca
Shumë është folur për Adrian Bajramin në këto orë të fundit dhe jo më kot. Zvicra vazhdon me kontaktet për të bindur djaloshin që të largohet nga Shqipëria, por familjarët e tij janë shprehur për “Sport Ekspres” se nuk ka për të ndryshuar më zgjedhjen, do të jetë përgjithmonë kuqezi. Nga ana tjetër duhet thënë se Bajrami menaxhohet nga kompania e Jorge Mendes, “Gestifute”. E njëjta kompani ka në menaxhimin e saj shumë yje të futbollit si Kristiano Ronaldo, Di Maria, Leao, Joao Cancelo, Ruben Dias, Bernando Silva dhe shumë emra të tjerë prestigjioz për skenën europiane të futbollit.
Por si arriti Adrian Bajrami, vetëm 19-vjeç që të përfshihej në kompaninë e Jorge Mendes? “Sport Ekspres” ka mësuar dhe historinë e plotë. Familjari që e këshillon më shumë Adrianin për vendimet e karrierës është daja i tij, Shpëtimi. Ky i fundit zgjodhi që menaxheri i mbrojtësit të ishte Shqiprim Berisha, tanimë ish-menaxher dhe që ka bashkëpunuar për shumë vite me kompaninë e Jorge Mendes. Kjo ishte pika e kontaktit për Adrianin që më pas i është besuar nga menaxheri i njohur Mendes duke parë të ardhme premtuese te talenti shqiptar. /Sport Ekspres/