Armand Duka arriti që të fitonte mandatin e 6 në FSHF duke marrë 37 vota nga komuniteti i futbollit. Kreu i FSHF ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, ku ka folur për zgjedhjet dhe njëkohësisht objektivat e së ardhmes.
“Ishin zgjedhje pa fushatë, askush nuk u paraqit në media për të shpalosur projekte dhe alternativa. Nga njëra anë kishte baltë dhe sharje, ndërsa nga ana tjetër kishte vetëm punë dhe kalim me sportivitet
Daljet për t’i kthyer përgjigje atyre shpifjeve, më janë dukur vetëm humbje kohe. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për Prodanin ishte i turpshëm dhe që nuk ndodh në asnjë cep të globit. U mblodh gjithë komuniteti i futbollit zgjodhi Alimehmetin, ndërsa minoranca tjetër zgjodhi Prodanin. Duhet vetëm të respektojmë Gjykatën, por nuk mund të jemi dakort me ta në këtë vendim.
Në Asamble kanë munguar vetëm gjashtë delegatë që kanë qenë të Bashkisë dhe kanë marrë urdhër politik. Aty ishte i gjithë futbolli. Nuk do të ishin aq të bashkuar nëse fortuna nuk do të ishte kaq e madhe. Në fund mbron familjen tënde, mbrojnë familjen e futbollit. Në asnjë rast tjetër nuk më ka ndodhur që të kem mbështetjen 100% të Superiores.
Familja ime ka kaluar momente të vështira. Nuk është kollaj që të shohësh një person të pushtetshëm që flet me gjëra hekuri, se unë jam llumi dhe familja ime është e tillë. Duhet t’i falënderoj që më kanë mbështetur. Nëse dorëzohesha në këtë moment, do të ishte tradhti.
E kam parë në 1000 lajme që Duka ndryshoi statutin për të hequr legjendat e Shqipërisë. Statuti ashtu ka qenë, që kur erdha unë. Rregulli ishte që personi që kandidon duhet të jetë rezident në Shqipëri. Kështu e kam gjetur unë dhe kështu vazhdon akoma, nuk kam ndryshuar asgjë dhe nuk u përjashtua askush. Por ky statut nuk ndalon Igli Taren apo dikë tjetër, thjeshtë pasi të fitojë, atëherë është i detyruar që të qëndrojë në Shqipëri. Kjo është e gjitha”, tha Duka. /Sport Ekspres/