Një rrëfim i veçantë ishte ai i Parid Xhihanit për “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës”. Ish-lojtari i Besës së Kavajës, Dinamos, Teutës, ka treguar edhe periudhën e tij në Ukrainë teksa ishte pjesë e Zorya, ku nuk mund të mungonte një koment rreth situatës aktuale të lu.ftës. Kur ndalet te golat e shënuara, ka ende në kujtesë perfeksionin e arritur ndaj Vllaznisë. Ndërkohë ka edhe një krahasim mes kohërave të futbollistëve së dikurshëm me këta aktualët.
“Goli më i veçantë në karrierë? Ishte goli kundër Vllaznisë, kur isha me Besën, pa mbushur 18-vjeç. Vllaznia pretendonte për kampionat dhe kishte ekip shumë të mirë, kam bërë një gol nga jashtë zone që unë nuk para i bëja. Ishte super gol me të majtën dhe i hoqëm kampionatin Vllaznisë, u zhvillua në Lushnje. Gol deciziv ishte edhe në finalen me Teutën.
Krahasimi mes kohërave dhe sulmuesve? Në epokën tonë ka pasur shumë lojtarë të mirë. Ne në kohën tonë e dashuronim futbollin më shumë se këta sot. Sot ka ardhur koha e internetit, e një bote jo reale. Ne e dashuronim futbollin, nuk kishim telefona për t’u shpërqendruar, të paktën ky është mendimi im. Ka 4-5 vite që kampionati shqiptar po ecën mirë dhe ka nxjerrë emra”, ka thënë Xhihani. /Sport Ekspres/