Ka përfunduar në barazim 0-0 derbi i kryeqytetit. Tifozët kanë mbushur “Air Albanian”, ku kanë ndezur zjarrin e derbit. Atmosfera ka qenë e ngrohtë, duke mos munguar brohoritjet në triubuna, por nga ana tjetër nuk kanë munguar as tymëset dhe fishekzjarret nga tifozët, të cilat bënë edhe që ndeshja të ndërpritej në minutën e 31-të.
Derbi është shfaqur me dy tablo në fushë, teksa pjesa e parë ka folur e gjitha për Tiranën, ndërsa në të dytën ka qenë Partizani që ka marrë frenat e lojës në dorë. Rastet nuk kanë munguar për të dyja skuadrat, ndërsa njeriu që i hoqi fitoren nga duart ishte Stenio Xhunior. I gjendur pak metra larg portës së zbrazët, sulmuesi i Partizanit bën atë që më pak pritej, duke e nxjerrë tiopin jashtë. Kështu ekipet mjaftohen me një pikë mbrëmjen e sotme, duke kthyer tashmë vështrimin nga java e ardhshme. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli“ në “Supersport“.
Mehmeti (Partizani): “Mendoj që pjesën e parë ishin ata më dominues, edhe për efektin se skuadra nuk eu vendos siç duhet. Në pjesën e dytë kemi qenë ne më dominantë. Në derbi duhet qetësia. Ishte pafalshme të humbje atë rast, sepse derbi nuk të jep shumë raste të tilla. Derbi është derbi dhe mendoj që duhet të shohim përpara. Ndërmjet linjave, pas shpinës së mesfushës së Tiranës nuk arritëm dot të lidheshim me Kallakun. Për Xhuniorin, është një lojtar që duhet të bëjë diferencën. Megjithatë nuk po kalon një formë të mirë.
Skuka është një lojtar i cili kërkon gjithmonë thellësi. Është natyra e tij që të mbështetet nga linja e mesfushës. Kërkon gjithmonë të driblojë edhe me shpinë nga kundërshtari. Është përmirësuar, ndoshta presioni i derbit nuk e ka lënë të shprehet ashtu siç duhet. Megjithatë më pëlqen ritimi i skuadrës dhe duhet të shohim para të përmirësojmë cilësinë e lojës. A kam pendesa deri më tani? Kam. Jo vetëm për mënyrën se si kemi interpretuar lojën. Kanë qenë 2-3 ndeshje që meritonim të merrnim më shumë. Kemi shpërdoruar shumë raste. I fundit ky me Xhuniorin, rasti në fund me Carën kundër Vllaznisë, dhe shumë raste ndaj Dinamos. Më vjen keq, sepse ka pasur shumë punë dhe mund. Kam pasur që në fillim besimin te kjo skaudër. Më vjen keq sepse Partizani duhet të arrijë patjetër aty ku e meriton. Nuk mendoj gjatë, sepse duhet të rrimë me këmbë në tokë. Nuk e mendoj fundin akoma.“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/