Ronald Koeman dështoi në aventurën e tij në krye të Barcelonës. Trajneri holandez ka dhënë një intervistë për mediat në vendin e tij, ku tregon se presidenti Laporta ia punoi pas shpine. Presidenti i Barcelonës ia kishte konfirmuar me bindje se vendi i tij nuk do të rrezikohej nga Xavi, megjithëse në fund rezultoi e kundërta.
“Nuk ma dhanë kohën që i dhanë trajnerit të ri, Xavi-t. Është ende e dhimbshme për mua. Punoja me shumë lëndime. Tani Pedri është kthyer në formë, dhe Ousmane Dembélé… Mund të shihni gjithçka. Me insistimin e drejtuesve të klubit pranova largimin e disa lojtarëve për të rregulluar financat. Por atëherë kur sheh se ata sjellin dikë për 55 milionë euro menjëherë pasi e lanë të shkojë Messin… Atëherë pyet veten nëse nuk po ndodhte diçka tjetër. Pse u desh të largohej Messi?
E rëndësishme nuk ishin paratë për mua. Unë me të vërtetë doja të kisha sukses si menaxher në Barcelonë, të bëja gjithçka që mundesha, por kuptova se Laporta donte të më hiqte qafe sepse nuk isha emëruar nga ai. Laporta më tha një mijë herë se Xavi nuk do të ishte trajneri i tij, sepse i mungonte përvoja”, ka thënë Ronald Koeman./Halit Delibashi-Sport Ekspres/