Xhanluixhi Bufon nuk ka ndërmend të ndalet së luajturi futboll. Ikona italiane duket se ka vendosur të plaket në portë, teksa ka rinovuar kontratën me klubin e Parmës. Mengohej se karriera e tij do të përfundonte së shpejti, por ish-gardiani i Juventusit sfidon kohën, e madje edhe Ibrahimoviçin.
Ky i fundit gëzon respektin e të gjithëve me faktin se arrin të zbresë në fushën e lojës edhe pse në moshën 40-vjeçare. Por përsëri mbetet pas në krahasim me Bufonin, i cili ka firmosur deri në vitin 2024 me Parmën.
E gjitha kjo përkthehet në faktin se portieri italian do të jetë pjesë e futbollit profesionist deri në moshën 46-vjeçare. Megjithatë në ndihmë i vjen pozicioni në të cilin luan në fushën e lojës, teksa në portë nuk i duhet të shpenzojë të njëjtën energji që do i duhej në një pozicion tjetër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/