“Më mirë 11 me 11, kujtuam se fituam ndeshjen”, Devolli: Ç’ti kërkoj sulmuesit kur nuk futet një top në zonë?

Ka përfunduar në barazim 0-0 sfida mes Dinamos dhe Partizanit. Të dyja skuadrat largohen nga “Elbasan Arena” me nga një pikë të fituar. Të kuqtë kanë rrezikuar disa herë portën e Harizajt, por pa arritur të dërgojnë topin pas shpinës së tij.

Partizani e ka mbyllur ndeshjen me një lojtar më pak, teksa Murataj është larguar me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Siljanovskit. Megjithatë fati nuk është në krahun e Dinamos, pasi VAR-i ndërhyn dhe arbitri anullon vendimin e tij për penallti. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli“ në “Supersport“.

Devolli (Dinamo): “Është e vërtetë sepse kemi luajtur kundër një ekipi që është më në formë për momentin, kanë një ekip shumë të shpejtë, e kam thënë edhe në ndeshjen e parë që kanë lojtarë të shpejtë, me Skukën akoma më shumë, bëjnë presion. Kemi bërë një hap para në aspektin e mbrojtjes sepse nuk pësuam gol, por një hap prapa në aspektin taktik. Në momentin që doli Murataj menduam se fituam ndeshjen, më mirë kur ishim 11 me 11 sesa kur kishim superioritet numerik. Duhet punë dhe të marrim pikë që të mund të shpëtojmë. Në ndeshjet e tjera kemi bërë lojë, ndërsa sot bëmë një hap prapa në aspektin e lojës, por kishim një kundërshtar të fortë.

Ndoshta na prishi punë dalja e shpejtë e Imamit. Reginaldon nuk e ndihmuam, plus ka qenë edhe pak pa stërvitje pasi pësoi dëmtim në dy ndeshjet e fundit. Nuk i vë faj sepse nuk shkelëm vijat fundore, çfarë llogari t’i kërkoj. S’e bëmë pjesën siç duhet edhe Ibraimin nuk e futëm në punë dhe në momentin, nuk e shkelëm asnjëherë zonën e kundërshtarit ose në raste të rralla me Bardhin. Por çfarë t’i kërkoj sulmuesit kur nuk futet asnjë top në zonë”.

Mehmeti (Partizani): “Vazhdojmë të vuajmë pjesën e sinkronizimit dhe qetësisë para portës. Nxitohemi në mënyrën se si duam të gjejmë golin, kështu u treguam në 2-3 momente. Janë situata që duhet t’i zgjidhësh me qetësi dhe durim. Më pas lojtarët tregohen të paduruar për të shkuar te goli. Skuadra ishte e motivuar maksimalisht, por çdo ndeshje ka historinë e vetë. Nuk do të thotë se e ke të lehtë përballë një skuadre që e ke mundur më parë.  Ka disa situata në lojë që drejtohen nga lojtarët. Te fitorja shkohet duke qenë i duruar. Nuk duhet të dalësh jashtë filozofisë tënde, fitorja vjen edhe në minutën e 90 apo të 95.

Nuk është aq e lehtë të sinkronizosh mënyrën e lojës së Kallakut. Jam munduar shumë që të jetë ai lojtari që na jep qetësinë dhe pasin e fundit në 20 metrat e fundit, por është e vështirë, pasi edhe Skuka ka nevojë për hapësira. Jam munduar që ta mësoj të bëjë kundërveprime dhe lëvizje të shumta, por është e vështirë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *