“T’i ofrojmë klimë të mirë arbitrave”! Memelli i tregon Mensah si bëhet goli: Të isha unë do dribloja Zogovic dhe do shënoja…

Pas 7 humbjeve radhazi, Skënderbeu ka marrë pikën e parë në barazimin 2-2 ndaj Vllaznisë. Një ndeshje e cila pritej të ishte e tensionuar dhe ashtu rezultoi. Të dy ekipet kërkonin me patjetër fitoren, ndërsa pjesët ishin të ndara në po të njëjtën mënyrë.

E para u dominua nga Skënderbeu, me shumë raste të humbura para portës së Zogovic. Por goli erdhi nga Nikaj në të 24 që mposhti portierin e Vllaznisë dhe si një shkodran, nuk zgjodhi të festojë. Rezultati do të barazohej nga Da Silva në të 41 pas një gabimi të Rexhepit, teksa i duhej vetëm të shtynte topin në rrjetë.

Por gafën e pjesës së parë, Rexhepi e shlyen në të dytën ku mohoi dy super gola nga distanca. Mustedanagic përmbysi shifrat në minutën e 51 dhe kulmi i tensioneve arriti në të 82. Arbitri jep penallti në favor të Vrapit pasi kishte një kontakt me Zogovic, që e mbajti me duar. Portieri i Vllaznisë nuk ishte dakort me penalltinë, ndërsa kryesori i takimit e pa me VAR.

Kur u rikthye, jo vetëm që u dha 11-metërshi, por u shoqërua me një karton të kuq. Zogovic ka mbetur i befasuar dhe është shtrirë në tokë, duke mos i besuar vendimit. Gjithë inatin nisi që ta shfrynte te fanella e tij, më pas ka shkuar drejt arbitrit mes toneve të ashpra. Lojtarët e Vllaznisë e kanë hequr me forcë, por janë dashur disa minuta që Zogovic si një “bishë e tërbuar”, të dilte nga fusha e blertë. Në fund, duket se Vllaznia e ka të pamundur që të mbyll ndeshjen me 11 lojtarë ku thuajse në çdo ndeshje sheh kartonin e kuq. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Memelli: “Vllaznia është një ekip i mirë dhe sidomos katërshja sulmuese është shumë e mirë. U munduam që t’i izolonim sadopak. Si rezultat i kësaj erdhi dhe goli. Në këtë pikë të kampionatit po na penalizojnë gabime amatoreske, si te goli i parë që Shehi dhe Zhan Viktor që i dha asist lojtari të Vllaznisë. Nuk mund ta ndryshoj dot unë rezultatin në fundin e ndeshjes. Jam përpjekur që të ul tensionin dhe Zguro duhet të rregulloj gjërat me veten e tij, por reagon në lojë pasi është djalë i çiltër dhe impulsiv. Është lojtar i rëndësishëm për ne, por duhet ta qetësoj pak veten. Rasti i humbur i Mensah? Detyra ime është që lojtarët i dërgoj para porte, pastaj vendosin vetë për zgjedhjen që bëjnë. Të isha unë në vendin e Mensah do të dribloja Zogovic dhe më pas do të shënoja, por ishte zgjedhje e tij për të goditur drejt portës. Penalltia? E mbajti Vrapin me dorë Zogovic. Kam reflektuar me veten, duhet t’i ofrojmë klimë të mirë arbitrave”.

Plori (Vllaznia): “E mendonim një ndeshje të fortë dhe e luf.tuar. Kishim pak probleme në rreshtim në minutat e para, me dy mbrojtësit e krahut. Më pas luajtëm më mirë dhe ta thellonim rezultatin, por ky është futbolli. Sa i përket penalltisë, të gjithë thonë jo, por nuk dua të merrem. Njëherë merret një krahë, njëherë ne, është bërë blozë dhe e neveritshme, nuk dua të merrem dhe unë me arbitrin. Duhet të vazhdojmë dhe të marrim pjesë në Europë. Goli i barazimit i Skënderbeut nuk erdhi nga presioni i tyre. Lojtarët janë të nervozuar nga arbitrat, jemi ndëshkuar me arbitrimi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *