“Kemi qimen e derrit”! Bledar Devolli kishte të drejtë për Dinamon, por sa e gjen veten në shprehje…Agim Ibrahimi

Mungesë e besimit para porte dhe tradhti e fatit në momentin më vendimtar. Nëse këto dy komponent bashkohen bashkë, është thuajse e pamundur për një skuadër që t’ia arrijë për t’i dalë. Aq më pak Dinamo, që pasi zhgënjeu që nga fillimi i kampionatit, e ka të pamundur për të reaguar në një moment kur shpërdorohen mbi 3 raste flagrante në çdo ndeshje.

Përballja e fundit kundër Teutës ishte dëshmia më e mirë. Minuta e 30 dhe rezultati ishte 1-0 në favor të durrsakëve që gjetën rrjetën me gjuajtjen e parë, ndërsa Dinamo po numëronte kornen e 11 duke luajtur “me një portë”. Po çfarë duhet të bëhet më shumë? Për Devollin kjo është rruga e vetme, megjithëse po e dërgon sërish te humbja. “Vetëm të kemi qimen e derrit”, është shprehur trajneri duke u shfryrë për mungesën e fatit.

Një shprehje që i shkon për shtat situatës, por më tepër i shkon për shtat kapitenit të Dinamos, Agim Ibrahimi. Ky lojtar është dukshëm mbi të gjithë të tjerët në elitën e futbollit shqiptar, është një “thesar”. Në fushën e lojës na jep spektaklin që zakonisht e shohim vetëm në fundjavë mes kampionateve elitare të Europës. Për Superioren ishte një nder që lojtar i këtij kalibri vendosi t’i bashkohej, ndërsa edhe në sjellje mban të njëjtën lartësi.

Thuajse të gjithë lojtarët kanë shfryrë të paktën njëherë ndaj arbitrit mes akuzave, por këtu përjashtohet Ibrahimi, që gjithmonë është shprehur se kjo kulturë e keqe duhet larguar nga vendi ynë pasi vetëm sa na prish imazhin në një kohë që jemi duke u rritur.

Në sezonin e parë do të afrohej te Kukësi, në momentin kur verilindorët përjetuan sezonin më të dobët që nga koha e tyre në Superiore. Aktualisht është pjesë e Dinamos, në një kohë që Dinamo është skuadra që ka zhgënjyer më tepër në Superiore. Asnjë lidhje me përgjegjësit individuale dhe shumë me “qimen e derrit” të shprehur nga Devolli. Një skuadër që kërkon titullin kampion, nëse do të kishte Agim Ibrahimin në përbërje, do të kishte edhe llustrën e fundit për të marrë gjithë dashurinë e publikut me mënyrën e lojës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *