Ngjarjet e fundit politike mes Rusisë dhe Ukrainës kanë nisur të shqetësojnë edhe botën e futbollit. Presidenti Putin ka njohur republikat separatiste të Donjetskut dhe Luhanskut, prandaj shenjat e një pushtimi janë të dukshme. Kjo ka shtyrë opinionin sportiv në Poloni që të bojkotojë ndeshjen e “play off“-it për Kupën e Botës që do të luhet në Moskë më 24 mars. Megjithatë këto ide janë hedhur poshtë nga ish-presidenti i Federatës Polake dhe tashmë zv. presidenti i UEFA-s, Boniek. Ky i fundit ua ka bërë të qartë bashkëkombasve të tij se në rast bojkoti e vetmja gjë që do të arrihet është fakti se Polonia do të mbetej pa Botëror dhe Rusia do të luante finalen e “play off”-it për në Katar.
“Të thërrasësh Poloninë për të bojkotuar ndeshjen në Moskë është sjellje krejtësisht joserioze. Dikush dëshiron të shkëlqejë në rrjetet sociale, por nuk ka asnjë ide për realitetin. As Boniek, as Kovalski dhe askush tjetër nuk do të vendosin vetë. Vetëm FIFA mund ta bëjë këtë. Nuk ka ende një themel. UEFA merret me play-off-et vetëm në mënyrë administrative: për shembull, ajo cakton arbitrat. Le të bëhemi gati për ndeshjen në Moskë. Le të fitojmë dhe do të jetë kënaqësi. FIFA, në rast bojkoti, do të ndëshkojë Poloninë dhe askush nuk do të qajë për ne. Rusia do të luajë në finalet e play-off për Katarin”, ka deklaruar Zbigniev Boniek./Sport Ekspres/