Ndeshja që nuk duhej kurrsesi për Dinamon vjen pas 3 ditësh, Skuka është tema e fundit për të “fundosur nëndetësen”

Shumë kritika dhe komente negative për këtë kampionat që po zhvillon Dinamo deri në këto momente. Jo pa shkak, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për faktin se me lojtarët që ka në organikë kjo skuadër, kurrsesi nuk duhej të ishte në pozitat e sotme. Me ardhjen e Bledar Devollit ka ndryshuar disi edhe grinta e lojtarëve, për mënyrën sesi po paraqiten në fushën e blertë.

Por mungesa e besimit para portës dhe mungesa e fatit që vjen si një goditje e fundit, ka bërë që kryeqytetasit të vazhdojnë me humbjet radhazi. Aktualisht në vendin e 8 dhe vetëm 3 pikë më shumë nga Kastrioti i vendit të fundit, te Dinamo po rrezikohet shumë. Për më tepër që vetë ndeshja e radhës është pikërisht ajo përballje që kurrsesi nuk duhej të vinte në këto momente.

Sofranak do të mungojë për çështje të kartonëve, Isaevski nuk është ende gati dhe portieri Simoni ka marrë një dëmtim nga ndeshja e fundit. Ndërkohë përballja e radhës do të jetë kundër Partizanit të Mehmetit, që çdo ndeshje e luan si një finale për të kthyer faqen e deritanishme.

Por nëse rezultatet po vijnë në rritje tek të kuqtë dhe ka më shumë besim në skuadër, kjo nuk po ndodh te Dinamo. Për më tepër që në fushën e lojës do të jetë…Skuka! Nëse ky sulmues vazhdon si me paraqitjet e fundit dhe i shkakton humbjen Dinamos, “gjyqi mediatik” për largimin e tij nuk do t’i jepte më asnjë mundësi lojtarëve që të ishin të qetë për ndeshjet e ardhshme. Për këtë arsye, për Dinamon kjo vlerësohet si një finale. Humbja ndaj Partizanit dhe për më tepër me Skukën protagonist, shkon përtej 90 minutave. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *