Përpara ndeshjes me Kastriotin, Tirana kishte zhvilluar një kampionat thuajse fantastik. 20 pikë të grumbullura në çdo fazë dhe ajo e tretë nisi me tre fitore. Por mjaftoi një humbje kundër vendit të fundit, pa bindur në lojë, që Laçi të afrohej me tre pikë dhe të ngriheshin pikëpyetjet e mëdha në media. Sa realisht është Tirana afër titullit kampion, a do ia dali apo do të përsëritet rasti i Vllaznisë në sezonin e shkuar? Gjithçka varet nga 90 minutat e ardhshme, të paktën, në pamjen e parë të krijohet kjo përshtypje.
Ndeshja e radhës do të jetë përballje direkte me Laçin dhe diferenca e pikëve është vetëm tre. Nëse Tirana e fiton këtë ndeshje, do të ngrihet sërish në qiellin e shtatë dhe kurbinasve do t’u tregohet se janë për t’u duartrokitur, por nuk mund të arrijnë më tepër se vendi i dytë, pavarësisht se kanë 13 ndeshje radhazi pa humbje. Por nëse ekipi i Josës arrin që të fitojë, atëherë Tiranës do t’i hidhen poshtë dy fazat e para që i ka zhvilluar në mënyrë fantastike, për t’u çuar në “greminë”, të paktën në mënyrën sesi do të komentohet nga ana e medias. Gjithçka ndahet nga 90 minuta, gjaku vlon dhe ndryshimet janë drastike në një vend ballkanik. /Sport Ekspres/