Trajneri i Partizanit, Mehmeti, ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Vllazninë. Tekniku i të kuqëve ka ngritur shqetësimin për lojtarin e momentit në Superiore, Skuka. Ky i fundit arriti që të shënonte dy gola për të përmbysur ndeshjen me Skënderbeun. Mehmeti është shprehur se lojtari ndien ende shqetësime dhe nuk konfirmohet përfundimisht prezenca e tij.
“Ne do bëjmë maksimumin, kemi marrë masat, do të jetë e vështirë, shpresojmë që këtë ndeshje ta fitojmë nesër. Jam fokusuar te skuadra tani, e kam parë sesi e ka interpretuar lojën më përpara, ishte filozofia e Dajës, çdo trajner ka filozofinë e vetë, jam munduar që të gjithë lojtarët të luajnë në pozicionet e tyre dhe t’i përshtatemi kundërshtarit.
Dihet se në ndeshjen me Skënderbeun Skuka ka sakrifikuar se nuk ishte në gjendje të mirë, por e gjithë skuadra ka rolin e saj, për mendimin tim Skuka duhet të rritet akoma më tepër, pasi e ka potencialin që të arrijë më shumë dhe të zhvillohet më tej në aspektin taktik.
Kemi vetëm problemin e Skukës i cili dihet, do e shohim edhe sot me stafin se ka pasur prap shqetësime, por ndikojnë edhe terrenet si dhe ndeshjet e ngjeshura. Jemi munduar që ta menaxhojmë aspektin fizik në stërvitje, që të mos kemi dëmtime, pasi është shumë e rëndësishme në katër ndeshjet e ardhshme, pasi luajmë thuajse çdo katër apo pesë ditë. Pasi në të tilla situata duhet të kemi në ekuilibër të gjithë skuadrën, që të plotësojmë mungesat”, tha Mehmeti. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/