UEFA mbërrin në Tiranë, nis punën për monitorimin e procesit zgjedhor

Ndërhyrjet politike dhe incidentet e fundit në proceset zgjedhore të shoqatave anëtare të FSHF-së me presione dhe kërcënime nga eksponentë të pushtetit në disa qytete të vendit kanë bërë që UEFA të shqetësohet seriozisht për situatën e krijuar. Ky shqetësim u konfirmua edhe nga vizita në Tiranë e Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, i cili erdhi me urgjencë për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

Siç edhe drejtuesi më i lartë i institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian e tha gjatë vizitës së tij, UEFA kërkon që proceset zgjedhore për organet drejtuese të FSHF-së të jenë transparente dhe pa ndërhyrje nga palë të treta. Nisur nga ky shqetësim UEFA dërgoi në Shqipëri një delegacion ekspertësh të cilët mbërrin këtë të hënë për të nisur menjëherë nga puna. Në përbërje të këtij delegacioni janë Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve).

Me të mbërritur në Tiranë ata janë ndalur në selinë e FSHF-së ku janë njohur me zhvillimet e fundit dhe kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore në shoqatat rajonale dhe incidentet e shkaktuara nga ndërhyrje flagrante e politikës. Pasi të njihet me të gjitha problematikat, pretendimet e palëve dhe të shqyrtojë dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni monitorues i UEFA -s do të përgatisë një raport të detajuar që do të t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, Kryeministrit Edi Rama si edhe FSHF-së. Delegacioni do të qëndrojë disa ditë në Tiranë, pasi UEFA është shumë e ndjeshme në rastet e ndërhyrjes së politikës në çështje të futbollit dhe procesin zgjedhor për organet drejtuese të FSHF-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *