Lushnja së shpejti me një kompleks fantastik futbolli, Duka: Po investojmë në 3 fusha të reja dhe tapetin e stadiumit

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ndalet me investimet në infrastrukturë! Një ndër prioritetet kryesore të institucionit të futbollit në vend është përmirësimi i infrastrukturës, ku Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë disa vendime të rëndësishme përgjatë vitit 2021 për zhvillimin e saj në disa stadiume e fusha stërvitore të vendit. Kësisoj, pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv më 21 dhjetor të vitit të kaluar, së fundmi kanë nisur punimet edhe për ndërtimin e tre fushave dhe ndërhyrjen në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu” në Lushnje.

Ky investim konsiston në rikonstruksionin e fushës së këtij stadiumi përmes sistemimit të bazamentit dhe më pas mbjelljen me bar natyral, si dhe në investimin e tre fushave të tjera të reja, që do të jenë me bar natyral dhe artificial, ku njëra do të shërbejë për seancat stërvitore të ekipit të parë dhe stërvitjet e ekipeve zinxhir, e dyta për stërvitjen e fëmijëve deri në moshën U-13, ndërsa do të bëhet edhe rikonstruksioni nga e para e aneksit stërvitor, që do të shërbejë për të gjitha ekipet dhe aktivitetet sportive të shkollave. Në kuadër të një vizite inspektuese në këtë investim, që pritet të ndryshojë tërësisht infrastrukturën futbollistike në qytetin e Lushnjes, kreu i futbollit shqiptar falenderoi kryetaren e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, për gatishmërinë për të investuar në infrastrukturën futbollistike, duke ftuar njëkohësisht të gjitha njësitë vendore dhe të interesuarit për të bashkëpunuar me FSHF-në për të bërë të mundur ndryshimin e infrastrukturës në Shqipëri.

“Në fakt, jam vërtetë i kënaqur që jam sot këtu, në fillimin apo në kurorëzimin e një marrëveshje të bërë me Bashkinë e Lushnjes një muaj më parë dhe në fillimin e punimeve. Kemi filluar me rikonstruksionin e fushës para stadiumit, në bashkëpunim me kryetaren, që dëshiroj ta falenderoj për gatishmërinë dhe kontributin, jo vetëm për vullnetin, por edhe për financimin e përbashkët për rikonstruksionin apo rindërtimin e të gjithë infrastrukturës së futbollit në Lushnje. Kjo marrëveshje konsiston në ndërtimin e fushës ku jemi, të një fushe tjetër me bar natyral, në anësoren e stadiumit dhe të një tjetër fushe me bar artificial nga ana tjetër e stadiumit, por gjithashtu edhe në rigjenerimin e fushës së stadiumit “Roza Haxhiu”. Unë mendoj që me këtë investim, qyteti i Lushnjes do të ketë një të ardhme shumë më të mirë për futbollin, kryesisht për fëmijët, që ne dëshirojmë t’i afrojmë në futboll. Edhe njëherë, falënderoj kryetaren dhe t’i shprehja gatishmërinë përmes kryetares çdo lloj një njësie vendore në Shqipëri apo çdo të interesuari që do të bashkëpunojë me ne për të ndryshuar infrastrukturën sportive në dobi të fëmijëve, në dobi të futbollit dhe të ardhmes së tij” – u shpreh Presidenti Duka.

Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, znj. Eriselda Sefa falenderoi Presidentin e FSHF-së për mbështetjen për të investuar në infrastrukturën futbollistike në qytetin e Lushnjes, duke iu përgjigjur kërkesës së saj për ndërhyrje. “Gjej rastin të falenderoj presidentin Duka, i cili iu përgjigj kërkesës sime të disa muajve më parë, që t’i bëjmë një ëndërr realitet qytetarëve të Lushnjes, atë të rikualifikimit të të gjithë terreneve sportive, por edhe të tapetit të barit të stadiumit. Duke qenë se për 30 vite në këto terrene nuk ishte vënë dorë në asnjë investim, falë kësaj mbështetje, qytetarët e Lushnjes do të kenë terrene sportive më të mira, por edhe ambiente më të rehatshme për të luajtur fëmijët e tyre, por edhe për t’u stërvitur ekipi i tyre i zemrës, Lushnja” – tha në fjalën e saj znj. Sefa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *