Marash Kumbulla ka zgjedhur të shuajë kureshtjet e ndjekësve të tij në rrjetet sociale. Mbrojtësi shqiptar u ka dhënë përgjigje pyetjeve të tyre, ku sigurisht nuk mund të mungonin ato në lidhje me Murinjon. Raporti me portugezin ka qenë i vështirë në fillim, por tashmë duket se 21-vjeçari e ka fituar besimin.
“Është një mundësi e madhe për një lojtar të ri që të punojë me një trajner si ai. Ndihem mirë sepse i vlerësoj njerëzit e sinqertë. Po mësoj shumë, sidomos nga ana e karakterit”, kanë qenë përgjigjet e Kumbullës në lidhje me Murinjon.
Ndërkohë një tjetër pyetje kishte të bënte me faktin se prej një jete të tërë i rritur në Itali, futbollisti i Romës zgjodhi të vishte fanellën kuqezi të Shqipërisë. Një zgjedhje që Marashi tregon se ishte e lehtë për t’u bërë dhe nuk e fsheh krenarinë për përfaqësimin e Kombëtares shqiptare.
“Ndihem edhe italian edhe shqiptar, por zgjedhja nuk ishte e vështirë dhe jam krenar që përfaqësoj Kombëtaren shqiptare”, ka thënë Marash Kumbulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/