Roberto Mançini ka publikuar listën me 35 lojtarë që do të grumbullohen më 26 janar. Italia do të zhvillojë seanca stërvitore për tu përgatitur për “play off”-et që e presin në mars, ku përballë do të ketë Maqedoninë e Veriut si dhe me shumë ngjasa Portugalinë. Ajo vihet re në lojtarët e thirrur është prania e emrit të Mario Balotelit.
Ky i fundit merr ftesën e Kombëtares italiane pas më shumë se 3 vitesh, teksa ndeshja e fundit që ka zhvilluar me fanellën e kaltër i përket vitit 2018. Sulmuesi që tashmë aktivizohet në Turqi dhe Roberto Mançini kanë punuar edhe më parë së bashku, teksa të dy kanë qenë pjesë e Mançester Sitit në të shkuarën. Megjithatë në radhët e “qytetarëve” ka pasur edhe konflikte mes palëve, duke kaluar madje në konfrontim fizik në seancën stërvitore, për shkak të mosbidjes së Balotelit. Por e shkuara është lënë pas nga Mançini, që ka zgjatur dorën për bashkëpunim në mënyrë që të mbrërrijnë në fazën e grupeve të Botërorit të ardhshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/