“Asnjë si Tirana në Shqipëri“, Shehi tregon sekretin për t’u bërë si Skënderbeu: Trajnerët nuk kanë shkopin magjik, jepini kohë

Tirana e ka mbyllur vitin 2021 si kampione dimri në “Abissnet Superiore“. Bardheblutë udhëheqin kampionatin dhe kanë treguar një ekip mjaft të kompletuar në fushën e lojës. Një meritë e madhe këtu i shkon pikërisht trajnerit të saj, Orges Shehit. Ky i fundit ka ditur të krijojë një grup konkurues dhe ka bërë tifozët të besojnë se titulli kampion do të kthehet përsëri te Tirana. Në një intervistë të dhënë për “MCN TV”, kreu i pankinës së kryeqytetasve ka folur më tepër rreth këtij edicioni të “Abissnet Superiores” si dhe projektit që klubi bardheblu ka. Si një person që e ka prekur në fushën e lojës suksesin e madh të Skënderbeut, Shehi shprehet se për të mbërritur deri në atë pikë duhet një punë e gjatë dhe një projekt afatgjatë. E për këtë arsye i duhet dhënë më tepër kohë trajnerëve.

“Kemi lojtarë shumë të rëndësishëm. Ndoshta jemi skuadra e vetme në kampionat që kemi 4 lojtarë nëpër kombëtare. Duke pasur lojtarë cilësorë, çdo gjë bëhet më e lehtë. Në të ardhmen lojtarët mund të bëjnë më mirë, por edhe mund të ketë lëvizje jashtë.

Në një maratonë të gjatë, asnjë skuadër nuk heq dorë nga synimet e veta. Ndoshta Teuta, Partizani dhe Dinamo janë të distancuara pak, por nuk besoj se do të heqin dorë, sepse matematika ia u lejon dhe kanë ekipe me kontingjent. Nëse nuk arrijnë objektivat madhorë. Kanë objektiva të tjera. Edhe për titullin kampion nuk i përjashtoj këto skuadra.

Derbi është shumë i rëndësishëm si për lojtarët ashtu edhe për trajnerët. Këtë vit derbi ka qenë shumë i rëndësishëm edhe për mua. Është ndjesi e mirë të fitosh dy derbi. Ia dolëm në fund, ndoshta adrenalina dhe kënaqësia është e madhe, por e rëndësishme është të fitojmë dhe të kemi vazhdimësi. Në botën e futbollit, është trajneri ai që merr përgjegjësinë i pari. Më vjen keq për largimin e Dajës nga Partizani, por kështu është futbolli.

Krahasimi me Skënderbeun? Në futboll duhet durim dhe kohë. Mos harrojmë se Skënderbeu nuk erdhi nga hiçi, iu deshën 5 vite për t’u kualifikuar në Europë. Dominimi fillon nga ndërtimi i skuadrës. Kur ekipi të ketë vite që luan bashkë, konsolidohet më shumë. Për të arritur Skënderbeun duhet kohë dhe durim. Nëse kalojmë te ecuria e Skënderbeut, lumturon tifozët, por edhe futbollin shqiptar. Unë kam qenë vetë në ndërtimin e Skënderbeut dhe nuk kishte asnjë lojtar me kontratë 1-vjeccare. Kontratat ishin 2 ose 3-vjeccare. Me idenë që boshti duhet të rrinte dhe të bëheshin nga pak ndërhyrje.

Duhet dhënë kohë trajnerëve, pasi asnjë nuk ka shkopin magjik. Nëse një klub merr një trajner dhe ka objektiva, duhet kohë. Për të ndërtuar një ekip, duhet dhënë kohë trajnerit. Do jetë një kampionat rivalizues. Nëse ul vlerësimin e pëson. Nuk mendoj që kampionati do të zgjidhet shumë shpejt”, ka deklaruar Orges Shehi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *