“Sport Ekspres” zgjedh presidentin e vitit në Superiore, është vetë simbolika e Krishtlindjeve për shkodranët

Nga Klaudio Ndreca

“Sport Ekspres” ka zgjedhur në bazë të vlerësimit tonë, presidentin e vitit në Superiore. Gjithçka e kemi lënë për ta publikuar në ditën e sotme pasi janë Krishtlindjet dhe në fakt, fituesi është vetë simbolika e saj për…shkodranët!

Vllaznia u ringjall, nuk është vetëm një mit i së shkuarës. Nëse në sezonet e shkuara kjo skuadër ishte në llogarinë e ekipeve që do të rrëzoheshin nga Kategoria, duke kërkuar që të tërhiqnin drejt fundit edhe shkodranët, nuk ndodhi pas ardhjes së Alban Xhaferit.

Pak rëndësi ka se në fund kush del fituesi. Nuk mundej që në vitin e parë Vllaznia të arrinte kurorëzimin, por mundej që në vitin e parë t’i kthehej nderi dhe dinjiteti. Një nder që humbi dhe këtu nuk po e ekzagjerojmë aspak me fjalët tona.

Mjafton të kujtojmë ato ditët e stërvitjes dhe spektaklit që ofrohej nga ana e Vllaznisë për mediat, teksa lojtarët braktisnin fushën pasi nuk kishin marrë pagesat. Ky problem jo vetëm që i përket së shkuarës, por në skandalin e fundit që përfshiu Shqipërinë në zbulimin e list-pagesave, shkodranët rezultuan më të mirët në sasinë e ofruar dhe deklarimin e bërë në shtet.

Për më tepër që Alban Xhaferi ka një tjetër natyrë që është për t’u vlerësuar. Aspak i ashpër, thumbues apo të tregojë dhëmbët në deklaratat për mediat, në mënyrë që të njihet brenda pak kohësh në një ambient të vjetër dhe të pandryshuar.

Përkundrazi, akuzat për gjyqtarët dhe daljet e tij në media janë më shumë se të rezervuara. Në kokë ka idetë sesi Vllaznia të rikthehet konkurruese dhe në sezonin e shkuar iu afrua menjëherë titullin kampion duke arritur vendin e dytë.

Që në momentin kur erdhi në klub kërkonte një trajner gjerman dhe nuk e ka lëvizur Brdaric, që tanimë bënë sezonin e dytë në Superiore. Pavarësisht luhatjeve dhe si kanë shkuar situatat rrugës me trajnerin, ky është një tjetër seriozitet i treguar nga ana e Brdariç.

Dikur si sponsor dhe tanimë si presidenti i klubit, Alban Xhaferi është për ne njeriu që ka pasur më shumë ndikim për mirë në një skuadër të Superiores. Fundja, pas shumë vitesh, tani Vllaznisë ka se kush i del për Zot… /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *