“E ndikojmë në tregun, jo tregu ne”, Raiola tregon të ardhmen e Halandit: Kemi dy vite që e kemi planifikuar

Erling Haland është nga ata emra që çdo ekip do të dëshironte ta kishte në organikën e vetë. Lojtari është pjesë e Dortmundit, por duket se në fund të sezonit gjërat mund të ndryshojnë. Sulmuesi norvegjez ka nevojë për një klub më të madh për të ngritur emrin në arenën europiane dhe ofertat nuk mungojnë. Megjithatë Haland dhe Raiola e kanë të qartë se ku do i çojë e ardhmja. Menaxheri i tij ka dhënë një prononcim për “Sport1”, ku është shprehur se kanë dy vite që e planifikojnë destinacionin e radhës. Më tej Raiola shton se është ai me Halandin që e diktojnë merkaton dhe jo e anasjellta.

“Kemi dy vjet që mendojmë, bëjmë dhe planifikojmë. Ne kemi ide të qarta se ku duam të shkojë Erling dhe, sigurisht, po shikojmë se çfarë ofron tregu. Do të isha një këshilltar i keq nëse do e bëja këtë. Ne mund të ndikojmë në treg me një lojtar si Halandi. Nuk është merkato që ndikon tek ne. Ne e dimë këtë. Me lojtarët e mi kam ndryshuar tregun e transferimeve.

Ne këshilltarët kemi krijuar një lojë të dytë përveç futbollit, tregun e transferimeve. Tani flasim për një lojë dy ditë në javë dhe transferime pesë ditë në javë. Ndoshta drejtorët sportivë më urrejnë. Unë nuk urrej askënd. Thjesht bëj punën time. Dhe më pëlqen të shkoj përtej kufijve”, ka deklaruar Mino Raiola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *