Milani nuk mund të kalojë fazën e grupeve të Champions League. Kuqezinjtë janë mundur në shtëpi me shifrat 1-2 nga Liverpuli. Megjithëse këta të fundit e kishin siguruar vendin e parë, sërish nuk u ndalën për t’i prishur punë kuqezinjëve dhe objektivit të tyre. Por Klop është shprehur pas ndeshjes se në një farë mënyre i ka bërë nder Milanit, që përfundoi në vendin e fundit të grupit.
“Më pëlqen shumë ky projekti i Milanit mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyrë të rinj. Kanë pasur edhe shumë mungesa, jam i sigurt se në të ardhmen do të bëjnë më mirë në këtë kompeticion. Unë mendoj se nga ky grup nuk e meritonte askush që të dilte i fundit. Tashmë e kemi ndihmuar Milanin që të mos jetë në Europë dhe të përqendrohet vetëm në Serinë A për të arritur objektivin e tyre”, tha Klop.
Ndërkohë trajneri i Liverpulit u gjend për herë të parë në San Siro dhe nuk e fshehu kënaqësinë: “Jam 54-vjeç dhe kjo është hera ime e parë në San Siro, është turp, shumë turp për mua. Kam luajtur ndaj Napolit, disa herë me Juventusin dhe Romën, por kurrë me Milanin. Kaq bukur që të jesh këtu, është stadium i bukur”, u shpreh Klop. /Sport Ekspres/