Besmir Limani është tifozi simbol i Kombëtares, i njohur ndryshe edhe si fytyra shqiponjë. Thuajse në çdo ndeshje të Shqipërisë është aty për të përkrahur kuqezinjtë duke marrë vëmendjen kryesore të mediave. Por nga krahu tjetër Limanit i mungon pasaporta shqiptare dhe për këtë arsye ka bërë një thirrje nga “Wake Up”:
“Kam takuar shumë futbollistë të Shqipërisë, kam bërë foto me ta. Në fillim ishte e vështirë që ta vizatoje shqiponjën në fytyrë, por me kalimin e kohëve jam perfeksionuar. Ndoshta jam i vetmi mashkull që tani i kuptoj femrat kur bëjnë “make-up”.
Lorik Cana është legjenda jonë dhe nëse 1 milion banorë do të ishin si Loriku, do të ishte më e mirë Shqipëria. Unë dua që të bëj një thirrje dhe të kem pasaportën shqiptare. Kam dy tani, një të Zvicrës dhe tjetrën të një shteti artificial.
E ngjyros fytyrën me shqiponjë dhe kur shkojmë në vende të tjerë, policia më shikon paksa çuditshëm dhe nuk ndihem mirë pasi jam shqiptar dhe paraqes një dokument të një shteti tjetër. Kam disa miq që më kanë premtuar se do të ma sjellin, por në fund janë tërhequr”, tha Limani. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/