Më 21 nëntor “France Football” do të organizojë mbrëmjen gala për ndarjen e çmimit prestigjoz të Topit të Artë. Një trofe i tillë është ëndrra e çdo futbollisti dhe arritja më e madhe individuale e tij, por në 15 vitet e fundit ka qenë “molla e ndaluar” për lojtarët, duke qenë se Messi dhe Ronaldo nuk kanë lënë hapësirë për të tjerë konkurentë.
Shpesh listat e emrave të përzgjedhur për të fituar Topin e Artë krijojnë edhe pakënaqësi te futbollistët, teksa ka nga ata që do e dëshironin ta shihnin veten kandidatë. I tillë është edhe portieri i Chelsea-t, Mendy, i cili ka dhënë një ndihmë të madhe që skuadra e tij të triumfonte në Champions League. Në një intervistë për “Canal +”, gardiani 29-vjeçar ngre dyshime për mospërfshirjen e tij në listën me 30 lojtarët pretendentë për fitimin e Topit të Artë. Dhe kjo për shkak se zgjodhi të luante për Senegalin e jo për Francën.
“Unë nuk jam përfshirë në listën e kandidatëve për Topin e Artë. Do t’i bëj vetes një pyetje. Nëse do të kisha zgjedhur Francën dhe kështu do të performoja në Kampionatin Europian, a do të ndryshonin gjërat?”, ka thënë Edouard Mendy./Halit Delibashi-Sport Ekspres/