Elhan Kastrati ka përjetuar një nga momentet më të veçanta në karrierën e tij, teksa më 28 tetor ka luajtur përballë një prej idhujve të tij. Portieri shqiptar është gjendur përballë Buffon-it e ndjesitë që ka përjetuar në ato çaste i ka ndarë me “Il Mattino di Padova“. Gardiani 24-vjeçar tregon se Buffon-i ka dërguar magazinierin e Parmës në fund të takimit për të ndërruar fanellën me të.
“Ndeshja kundër Parmës së Buffon-it? Isha pranë arbitrit në zgjedhjen e fushës dhe ai erdhi për të më përshëndetur i pari. Isha i emocionuar të luaja kundër atij që është një mit. E kam parë gjithmonë në TV, imagjinoni se çfarë kam provuar të gjej veten në fushë së bashku. Vetëm mendoni se në fund të mbrëmjes u tundova t’i kërkoja fanellën, por më pas humbëm dhe ai u kthye në dhomën e zhveshjes, kështu që nuk e bëra.
Megjithatë, në një moment të caktuar, magazinieri i Parmës u shfaq në dhomën tonë të zhveshjes dhe më pyeti nëse doja ta ndërroja me atë të Gigi-t. Kështu shkova tek ai për t’ia sjellë dhe biseduam pak. Ishte bukur, një nga ato momentet që do ta mbaj me vete”, ka thënë Elhan Kastrati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/