Thomas Strakosha është rikthyer që të mbrojë portën e Lacios në “Europa League”. Gardiani shqiptar ka bërë paraqitje pozitive kundër Marsejës në transfertë, pavarësisht dy golave të pësuara. Në asnjë prej këtyre realizimeve nuk ishte faji i Strakoshës dhe nuk mund të bëhej më mirë prej tij.
Në minutën e 53, Strakosha do t’i gëzohej një asisti, por aksioni nuk është mbyllur në mënyrën më të mirë nga Milinkovic-Saviç. Portieri shqiptar dërgoi topin e gjatë që e nxori mesfushorin e Lacios para Lopez, me goditjen që ishte për t’u harruar.
E teksa pritej fundi i takimit, Payet tentoi kryeveprën nga distanca. Futbollisti i Marsejës goditi traversën, ndërsa Strakosha ishte në vendin e duhur për të evituar realizimin në këtë moment edhe nëse topi do të ishte në drejtim të rrjetës. /Sport Ekspres/