Nedim Bajrami ka humbur disi pozitat e tij në skuadër. Fantazisti shqiptar ishte protagonist absolut sezonin e shkuar, por në këtë edicion të ri në Serie A nuk po gjen vazhdimësinë me 90 minuta të plota në çdo ndeshje. Një situatë kjo që patjetër zgjon edhe kureshtjen e gazetarëve, të cilën e shuan vetë trajneri i Empolit. Në prag ta duelit me Genoa-n, Andreazzoli siguron se Bajrami do të jetë sërish protagonist dhe se vështirësitë e tanishme do të kthehen në pikat e tij të forta.
“Si është Bajrami? Shikoni, historia e tij ishte e tillë edhe vitin e kaluar. Ai do të jetë protagonist, është i mirë dhe i gatshëm, është i zënë me punë, por secili ka kohën dhe nevojat e veta. Tani ka vështirësitë e veta, ato pastaj do të bëhen pikat e tij të forta. Ne kemi shumë besim te djali, kanë mbetur edhe 30 ndeshje, ka shumë kohë në vazhdim. Nuk mendoj se Bajrami është problem, e shoh çdo ditë dhe rritja e tij është e vazhdueshme, edhe pse jo shumë e shpejtë”, ka thënë Aurelio Andreazzoli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/