Partizani po zhytet gjithnjë e më shumë në krizën e rezultateve. Shtatë javë kanë kaluar dhe të kuqtë ende nuk e kanë provuar shijen e fitores, madje nuk e bënë as sot kundër Egnatias. Kjo gjendje duket se ka “mbushur kupën“ për tifozët, të cilët nuk mund ta shohin më skuadrën e tyre të zemrës në këtë situatë.
Mjafton të shohësh komentet e mbështetësve të Partizanit në faqen zyrtare të klubit në “Facebook“ pas ndeshjes me Egnatian për të kuptuar se mërzinë e tyre. Në të nuk mungojnë kritikat për drejtuesit apo edhe për trajnerin Daja, largimin e të cilit e dëshirojnë një pjesë e tyre.
Por në qendër të kritikave është vënë edhe Alban Hoxha, teksa një pjesë e mirë e tifozëve e shohin përgjegjës për rezultatet e arritura falë paraqitjeve të tij të dobëta. Ndërkohë nuk mungonë edhe ata që e shohin situatën në një tjetër këndvështrim, duke nxjerrë teorinë e një komploti të vetë lojtarëve për të larguar Ilir Dajën nga stoli i Partizanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/