Rrjetet sociale kanë pasur një ndikim të madh në “klasiken” e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës. Tifozeritë përkatëse njihen për rivalitetin e madh me njëra-tjetër dhe nisur nga fjalët e shkodranëve në rrjetet sociale, është kërkuar mbyllja e sektorit të tifozëve të Tiranës për të shmangur përplasjet dhe daljen nga kontrolli të ndeshjes.
Një pjesë e madhe e mbështetësve të bardhebluve kanë mbetur jashtë stadiumit “Loro Boriçi”, por duket se një masë e tillë ka qenë tërësisht e panevojshme. Tifozët shkodranë tregojnë edhe njëherë përse qytetaria është ajo që i simbolizon në kampionatin shqiptar.
Megjithëse përballë kishin një nga rivalët më të mëdhenj të tyre, nuk i kanë kursyer duartrokitjet në fund, pavarësisht se fitorja i takoi pikërisht Tiranës. Kuqeblutë në tribuna i japin meritat kundërshtarit dhe tregojnë se ajo situatë para ndeshjes nuk kishte të bënte aspak me ta.
Por nga krahu tjetër “Tirona Fanatics” nuk e harron lehtë veprimin për të lënë jashtë stadiumit një pjesë të madhe të tyre. Grupimi ultras i ekipit kryeqytetas ka thumbuar menjëherë pas ndeshjes përmes faqes së tyre në “Facebook”, ku shkruajnë: “Duhet të kishit mbyllur portën tuaj në fushë… jo sektorin tonë! Të paktën aty edhe nuk i kishit ngrënë golat! Asgjë nuk nan dal”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/