Një ndeshje që nuk do të harrohet lehtë ishte ajo e djeshme në Angli mes Plymouth dhe Bolton, që përfundoi me fitoren 3-0 të vendasve. Nuk bëhet fjalë për ligat më amatore të Anglisë, por kampionatin që vjen në nivelin e tretë të futbollit dhe dy ekipe që janë jo pak të njohura. Fusha e stadiumit “Home Park” u kthye në një pishinë të hapur ku vetëm për futboll nuk mund të flitej.
Veçanërisht në 20 minutat e fundit të takimit me shiun që nuk po përfundonte, terreni e ktheu ndeshjen në komike. Topi nuk mund të pasohej më dhe goli i fundit që u shënua nga Portsmouth ishte jo pak komik. Për më tepër që edhe vetë futbollistët nuk e kuptuan sesi topi shkoi në rrjetë, por menjëherë u nisën që të shtriheshin dhe të festonin në ujë si të ishin notar, duke kujtuar kohën e fëmijërisë në futbollin e lagjeve. Ajo që mbetet për t’u habitur është sesi arbitri Stroud nuk sinjalizoi ndërprerjen e ndeshjes kur mund të flitej për gjithçka, por jo për futboll. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/