Ekskluzive/ “Kemi një sekret që të dy”! Klaus Gjasula i shkruan vogëlushit që preku zemrat e shqiptarëve: Më preku shumë…

Nga Klaudio Ndreca

Imazhi më i mirë për të përshkruar ndjesinë e tifozëve shqiptarë pas ndeshjes me Poloninë është ajo që ofrohet nga vogëlushi i Luginës. Amar Hasani do të dëshpërohej dhe nisi që të qante pasi Sviderski dërgoi topin në rrjetë. Eh, duket paksa e çuditshme teksa bën një lidhje mes dy frazave të para.

Por ky është futbolli, më shumë sesa një lojë ku 22 futbollistë vrapojnë pas një topi. Mes shumë njerëzve që janë prekur nga Amari është edhe mesfushori i Shqipërisë, Klaus Gjasula. Lideri i këtij reparti te Kombëtarja nuk ishte i gatshëm për sfidën ndaj Polonisë pasi rezultoi pozitiv me COVID. Një goditje e madhe dhe një farë demoralizimi kaploi tifozët shqiptarë kur mësuan zyrtarisht se Gjasula nuk do të ishte në fushën e blertë.

Por nga ana tjetër rasti në fjalë na shërbeu për t’i njohur vlerat e vërteta Gjasulës. “Sport Ekspres” e ka kontaktuar pasi mësuam se Gjasula ka komunikuar me vogëlushin e Luginës. Mes tyre ka pasur edhe një sekret, mes besës së shqiptarit që nuk do të tregohet dhe Klausi e respekton deri në fund.

“Ma ka prekur zemrën shumë dhe mua, isha i trishtuar për vogëlushin dhe për gjithë popullin tonë. Ne duhet të japim më të mirën për Kombëtaren. I kërkova që të mos jetë më i trishtuar. Çfarë kemi folur? Është sekreti im dhe atij. Besoj se në të ardhmen do të ketë më shumë raste gëzimi se dëshpërimi. Nuk mund të premtoj diçka që nuk e mbaj dot. Por të kemi më shumë gëzim se dëshpërim mund ta them pasi jemi në rrugë të mbarë. Vlerat i kemi dhe perspektiva është shumë e mirë me lojtarët e rinjë që në të ardhmen mund të konkurrojmë ndaj të gjithëve”, tha Gjasula.

Gjithashtu mesfushorin e Shqipërisë e kemi pyetur edhe mbi momentin e ndërprerjes në ndeshjen Shqipëri-Poloni. Në atë moment prisnim që lojtarët të flisnin me njëri-tjetrin dhe të ktheheshin më të zjarrtë, për të luajtur me gjakun që duhej të vlonte në ato pak minuta të mbetura, duke ditur pritshmërinë e madhe dhe atmosferën që po dhurohej në “Air Albania”. Këtu niset një diskutim i ri: “Askush nuk ka diskutime se ky brez i ri i Shqipërisë është “flakë”, kur do ta gjejmë liderin tonë?”. Nëse do të kërkojmë për një Lorik Cana të dytë në grintë dhe frymë te shokët e skuadrës do të ishte shumë, por të paktën dikë që t’i përafrohet. Gjasula na jep mendimin e tij edhe për këtë temë:

“Të gjithë e kishin dëshirën që të ndryshonte diçka pas ndërprerjes së ndeshjes. Secili ishte në mënyrën e vet dhe po e shprehte po sipas mënyrës së tij. Pas një humbje është e lehtë të thuash se ku gaboi dhe çfarë i mungoi ekipit. Por besoj se kemi lojtarë në këtë grup që mund ta ndezin zjarrin në fushë. Roli që ka pasur Lorik Cana në mënyrën sesi frymëzonte skuadrën, tanimë ndahet në më shumë lojtarë”, tha Gjasula. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *