Krahasimi i Kombëtareve/ Një Poloni që jeton me figurën e Levandovskit, Shqipëria nuk ka asgjë më pak në fushë

Më pak se 24 orë kanë ngelur nga momenti kur Clement Turpin do ti fryjë bilbilit për të sinjalizuar nisjen e sfidës në “Air Albania“. Nga njëri krah i fushës do të qendrojë Shqipëria e nga krahu tjetër Polonia. Të dyja me një qëllim të vetëm, fitoren që do i jepte një biletë për në “play off”-et e Kupës së Botës. Sa përmendet Polonia menjëherë mendja vetëvetiu shkon te Levandovski, një yll futbollit botëror që është kthyer edhe në simbolin e përfaqësueses së tij. Një emër që të tremb dhe i kalon polakët në pozicionin e favoritit.

Ekipi i udhëhequr nga Sousa vjen në Tiranë me stofin e favoritit, por sa janë realisht diferencat mes dy Kombëtareve? ”Sport Ekspres” e jep përgjigjen duke vënë në “peshoren” e krahasimit të dyja skuadrat. Padyshim që Levandovski në fushë e bën sulmin polak të frikshëm, duke e lënë në hije repartin ofensiv të kuqezinjve. Fakti që lojtari i Bajernit ka thyer çdo rekord me golat e tij dhe meritoi tërësisht trofeun e “Topit të Artë“ vitin e shkuar flet qartë për të, prandaj emri i tij vlenë më shumë se gjithë sulmuesit tanë të dalë së bashku.

Por futbolli është lojë në grup dhe një individ i vetëm nuk mund të bëjë gjithçka. E përpos tij, emrat në sulmin e Polonisë nuk trembin aspak, e madje janë në një nivel e në mos më poshtë se sulmuesit tanë. Buksa, i cili po kthehet në njeriun e momentit, mban fanellën e New England Revolution, e ndërsa Piatek luan me Hertan e Berlinit, megjithëse “pistoleta” nuk ka shkrepur në Bundesligë. E në krahun tjetër kemi Brojën me Sauthampton, Uzuni me formën më të mirë me Ferencvaroshin si dhe Manaj pjesë e Serie A me Specian.

E nëse shkojmë më poshtë në mesfushë, shohim që diferencat përsëri nuk janë të mëdha. Në 5 lojtarët që pritet të jenë të besuarit e Sousas, kemi një shpërndarje të tillë me dy futbollistë të Serie A (Sampdoria, Napoli), një nga Rusia me Krasnodarin, një në Bundesligë me Union Berlinin si dhe mesfushori tjetër pjesë e Premier Ligës me fanellën e Leeds-it. Në nivele të tilla po aq të larta matet edhe mesfusha e Shqipërisë, e cila përbëhet nga 2 lojtarë të Serie A (Lacio, Empoli), një nga La Liga (Espanjoli), një nga Bundesliga 2 (Darmshtad) dhe Trashi nga kampionati i Kuvajtit. Ndërkohë një alternativë e mundshme për Rejën mund të jetë edhe Ivan Balliu, i cili është një titullar i padiskutueshëm me Rajo Vajekanon në La Liga. E parë kështu, mesfusha e Shqipërisë nuk ka asgjë mangut krahasuar me atë të Polonisë.

Për të kaluar në fund te mbrojtja. Një Shqipëri e gjitha “made in Serie A“ në prapavijë, me lojtarë që luajnë në ekipe si Roma, Empoli apo edhe Veseli pjesë e Salernitanës. Ndërkohë në kampin kundërshtar lideri i mbrojtjes mban veshur fanellën e Beneventos në Serinë B italiane, i mbështetur në fushë nga Davidoviç i Veronës dhe Bednarek i Sauthamptonit. Edhe njëherë tjetër një vëzhgim i imtësishëm tregon se kuqezinjtë nuk janë aspak nën nivel në prapavijë. Në fund shohim një Poloni që jeton me imazhin e Levandovskit, niveli i lartë i të cilit e bën të duket më e fortë se realiteti ne sytë e kundërshtarëve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *