Emocionet e Kombëtares kanë nisur sërish, teksa pas tre ditësh kuqezinjtë luajnë një transfertë të vështirë si ajo me Hungarinë. Formacioni i ekipit tonë kombëtar ka hapur një debat në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“. Trajneri Sulejman Starova dhe Ermal Tahiri këmbëngulnin se zgjedhja duhet bërë në bazë të minutazhit, duke i besuar portën në këtë mënyrë Selmanit. Ndërkohë gazetari Gjergji Stefa qendron kundër kësaj hipoteze, të cilën nuk e sheh të duhurën për të vendosur formacionin në Kombëtare.
“Me këtë llogjikë atëherë le t’i lëmë në shtëpi Armando Brojën dhe Marash Kumbullën, nuk po i thërrasim fare ata. Po çfarë është ky lloj diskutimi që bëhet kështu. Është i njëjti ekip që ka fituar ndaj Hungarisë para tre javëve. Pavarësisht se disa lojtarë nuk kanë luajtur tani, si llogjikë mund të qëndrojë që të luhet me po të njëjtit. Ke shumë raste kudo që lojtarë që nuk luajnë në klubet e tyre luajnë në Kombëtare. Demirali nuk e pa fushën me Juventusin, ishte më i miri në kualifikueset e Europianit. Ju thoni që mos të futet Kumbulla se nuk ka luajtur asnjë minutë të vetme me Romën. Ju thoni që le të luajë Selmani si titullar, kur kapiteni i Shqipërië është Berisha. Nuk kam asgjë personale me Selmanin, por nuk vendoset kështu”, ka thënë Gjergji Stefa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/