Nga Klaudio Ndreca
Edmond Dosti! Kjo është figura e njohur e futbollit shqiptar që vazhdon të jetë një ndjekës dhe mbështetës i flaktë i Partizanit. Tanimë jo duke shënuar dhe dhënë kontributin në fushën e blertë, por duke shpërndarë mendimet dhe opinionet e tij në rrjetet sociale, me dëshirën dhe qëllimin e vetëm për ta parë ekipin sa më lartë, pa pasur asnjë interes tjetër.
Para ndeshjes derbi me Dinamon, “Sport Ekspres” ka zgjedhur që ta intervistojë. Kujtimet e fundit që ka me Dinamon janë shumë të bukura pasi në fitoren me shifrat 4-0, të katërta golat do të shënoheshin nga Dosti. Megjithatë kur flitet për krahasimin mes derbit, ai me Tiranën i përket një tjetër niveli.
Disa diskutime të hapura në ditët e fundit që nuk mund t’i lëmë pa koment. Edmond Dosti, në çfarë cilësie i jep komentet e tij të shpeshta për Partizanin?
Kur flas për Partizanin, sigurisht që nuk flas si një ish lojtar i këtij klubi. Flas si sulmues dhe pse jo, si golashënues, i cili shikon se si lojtarët e tanishëm, nuk shtyjnë dot topin drejt portës. Unë flas nga dashuria qe kam për këtë klub, nuk i mëshoj sindromës së legjendës…!
Je gjithmonë aty për të kritikuar në momentet e këqija dhe lavdëruar në ato të mira. A shkaktojnë shpesh vorbulla fjalët e tua brenda Partizanit? Kur ka qenë biseda jote e fundit me Demin?
Po kjo është e vërtet, unë në të dyja rastet kur shkruaj në Facebookun tim, flas gjithmonë realitetin. Shumë tifozë i lexojnë e i komentojnë shkrimet e mia dhe deri tani më kanë dhënë të drejtë! Me Presidentin Demin herën e fundit kam folur para ndeshjes me Vllazninë, por disa biseda i kemi konfidenciale.
Partizani ishte mbreti i merkatos, por ende në kërkim të fitores së parë në kampionat. Paradoksale apo jo?
Nuk do ta quaja mbreti i merkatos, por Partizani ishte i detyruar të afronte shumë lojtar dhe shumë të tjerë u larguan jashtë shtetit. Për mendimin tim afrimi i Kaçes, Markut dhe Filipoviç është një investim i mirë, shpresoj që fitorja e parë të vijë tani në derbi kundër Dinamos!
Çfarë nuk i bind te kjo panoramë që të paraqitet fushën e blertë? A duhet të mjaftohen tifozët vetëm me lojën?
Duke filluar nga portieri dhe mbrojtja është duke futur ujë dhe për të 3 ndeshjet janë fajtor për golat e pësuar deri tani. Mesfusha përveç Kaçes është si e mefshtë, vonojnë në aksion dhe nuk vertikalizojnë pasimet nga njëri krahë në tjetrin, duke arritur tek Kardozo që nuk e ka justifikuar veten dhe gjithmonë vonon aksionet. Junior është i vetmi futbollist që është i rrezikshëm për kundërshtarët, por edhe ky luan mbrapa. Një sygjerim miqësor për Dajën, në qoftë se duan të fitojnë ndeshjet, ndërimet duhet ti bëjë pak më shpejt.
Ndeshja me Dinamon. Çfarë kujtimesh të risillen në mendje dhe ku është ndryshimi nga një derbi me Tiranën?
Është shumë mirë që Dinamo u kthye aty ku e meriton sepse i bënë mirë edhe futbollit, përsa i përket kujtimeve, me Dinamon kam kujtime shumë të mira pasi ndeshjen e fundit që kam luajtur me Dinamon në kohën time, kemi fituar 4-0, ku të katërt golat i kam bërë unë. Të dy derbet janë shumë të bukura, por derbi me Tiranën ka tjetër adrenalinë, prandaj dhe për mendimin tim është derbi më i bukur në Shqipëri!
Demi ka dhënë dikur deklaratën e përjetësisë për Dajën, por kohët e fundit situata po ndryshon. Mendon se do t’i lëkundej seriozisht karrigia Dajës në rast humbje me Dinamon?
Vetë deklarata e Demit kishte nënkuptimin brenda. Të gjithë trajnerët që vijnë te Partizani janë nën presion dhe afrimi i Dajës është bërë për të fituar sa më shumë trofe. Por presidenti është një biznesmen dhe kur në fabrikën e tij nuk ecin mirë punët, nuk hiqen punëtorët, por hiqet drejtori. Shpresoj që batuta e tij të dali. /Sport Ekspres/