Redi Jupi komenton rastin e veçantë të Kukësit në Superiore: Nuk ka mundësi që po ndodh kjo

Kukësi udhëheq i vetëm tabelën e klasifikimit pas tre javëve të luajtura në Abissnet Superiore. Verlindorët kanë surprizuar edhe ish-futbollistin, Redi Jupi, i cili nisur nga ndryshimet e shumta të bëra në ekip mendonte se do të hasnin vështirësi këtë sezon. Por e kundërta po ndodh deri më tani. Diçka e tillë shihet si shqetësuese nga Jupi, i cili shprehet në “Procesi Sportiv“ se kjo paraqitje e Kukësit tregon se skuadrat e tjera nuk janë në rregull.

“Unë Kukësin e mendoja si një nga skuadrat që do ishte në vështirësi këtë vit. Duke parë që grupin e lojtarëve e krijoi shumë vonë. Disa prej atyre lojtarëve që luajtën sot unë para 10 ditësh nuk i kisha parë fare në stërvitje me skuadrën. Skuadra që kisha parë, me shumë lojtarë të rinj, me shumë zëvendësime, mendoja që do kishte vështirësi të mëdha. Ndërkohë që Kukësi shfaqet si skuadra më solide e kampionatit deri tani. Më solide në çdo aspekt, në mënyrën e lojës, në fizicitet, në agresivitet, në mënyrën se si i mbulon hapësirat. Kjo tregon që nuk janë në terezi skuadrat e tjera.

Apo edhe fenomeni Dinamo. Ne na vjen shumë mirë që Dinamo është forcë kryesore tani në kampionat, që po lufton për të shkuar lart. Por është e pamundur që me 25 lojtar të rinj të luftosh në një kampionat për ta fituar në qoftë se nuk janë në rregull skuadrat e tjera. Pra kjo tregon një vakum shumë të madh”, ka thënë Redi Jupi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *