Ndeshjet e muajit shtator po afrojnë dhe Edi Reja ka nisur të bëjë gati listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion. Në Greqi zbulojnë edhe emrin e parë që do të bashkohet me Shqipërinë për duelet e kualifikueseve të Kupës së Botës. Një 18-vjeçar është thirrur për të mbuluar krahun e majtë të Kombëtares.
Edi Reja i ka dërguar ftesën lojtarit të talentuar të AEK-ut, Mario Mitajt. Ky i fundit zgjati kontratën me skuadrën greke deri në vitin 2026, ndërsa sezonin e shkuar vendosi edhe rekorde me fanellën e tyre. Mitaj është lojtari i huaj më i ri që debuton me AEK-un, si dhe më i riu në historinë e tyre që luante në një ndeshje europiane. Ndërkohë një rekord të tillë e mban edhe me Kombëtaren kuqezi, teksa u bë futbollisti me moshën më të re që zbriste në fushë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren./Halit Delibashi-Sport Ekspres/