Elseid Hysaj pret vetëm zgjidhjen e ngërçit të merkatos dalëse për të qenë zyrtarisht pjesë e Lacios. Bardhekaltrit duhet të shesin një lojtar për të regjistruar mbrojtësin shqiptar dhe ky është i vetmi shqetësim për të. Sapo të jetë regjistruar si pjesë e Lacios, atëherë vendi i titullarit nuk do të jetë aspak i vështirë për tu arritur.
Edhe vetë statistikat e mbështesin një gjë të tillë. Elseid Hysaj është i preferuari i Mauricio Sarrit. Të dy kanë një lidhje të fortë dhe të hershme me njëri-tjetrin, e cila daton që nga koha kur ishin pjesë e Empolit. Trajneri italian ishte pikërisht ai që i dha dorën i pari lojtarit të Kombëtares kuqezi, duke e aktivizuar titullar me Empolin.
Hysaj e shpërbleu shpejt besimin dhe do të kthehej në njeriun besnik të Sarrit, i cili do e merrte me vete edhe në Napoli. Që nga periudha kur kanë qenë së bashku në një ekip, shkodrani numëron plot 243 paraqitje në fushën e lojës. Asnjë lojtar tjetër nuk është aktivizuar më shumë se ai nga Sarri, duke qenë i preferuari në karrierën e trajnerit të Lacios./Halit Delibashi-Sport Ekspres/