Dhe ja ku jemi…! Pika e mbërritjes dhe fjalët që nuk mbarojnë kurrë, Rei Manaj është zyrtarisht pjesë e La Liga me Barcelonën

Rei Manaj ka shkëlqyer në fazën përgatitore me Barcelonën e Koeman duke shfaqur të gjitha vlerat e tij në mundësitë e marra. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi diskutuar edhe mënyrën sesi është komentuar sulmuesi i Kombëtares, më veçanërisht nga shqiptarët. Dyshimet kanë qenë dhe vazhdojnë që të jenë të mëdha mbi vlerat e tij, por aktualisht është pjesë e Barcelonës.

Zhvillimet e ditës së sotme tregojnë se Rei Manaj do të mbetet te katalanasit edhe pas merkatos së verës, por këtë herë në ekipin e parë. Pique u sakrifikua duke hequr dorë nga rroga e tij në mënyrë që Manaj, Depay dhe Garcia të regjistroheshin në La Liga. Ky është kulmi! Por sa shumë diskutime do të hapeshin për lojtarin shqiptar?

Në momentin kur arriti të shënonte tre golat me Gimnastica, pakkush e përgëzoi dhe shumëkush cilësoi nivelin e ulët të kundërshtarit. Në momentin kur Manaj shënoi edhe në ndeshjen e kthimit me Gironan, pakkush e përgëzoi, por shumëkush u mor me faktin se do të largohej nga fusha në pjesën e parë pas dëmtimit duke thënë: “Nuk ka takat për më shumë”.

E për kritikuesit e shumtë si momenti më i mirë për të dalë në tezën e tyre do të vinte përballja me Salzburg. Në atë takim Manaj u aktivizua për pak minuta në fund ku humbi edhe një rast të pastër. “Po tani? Ky ishte ai sulmuesi që na kthyer si legjendë?”. “Sëmundje” e vjetër e jona për të goditur me “ironi dhe thumbime” ngritjen e një njeriu që në fund të fundit prezanton Shqipërinë dhe po shkel tokën e paprekur nga ne. Por ja ku jemi… Rei Manaj është regjistruar në La Liga si lojtari i Barcelonës dhe do të vazhdojë që të stërvitet me yjet e katalanasve dhe nën urdhërat e Koeman.

Me siguri që fjalët do të vazhdojnë me minutat e aktivizimit për të ulur sa më shumë arritjen e futbollistit të Kombëtares, por sulmuesi ka treguar se mund t’i hesht të gjithë me punën e tij. Në një kohë kur Barcelona nuk ka parë asnjë futbollist të tjetër të Shqipërisë, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse t’i urojmë suksese Manajt. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *