Shqipëria po vazhdon që të përfaqësohet në Lojërat Olimpike, por duke hequr Briken Çaljan që ka dalë në vendin e katërt, gjithë pjesa tjetër është për t’u harruar. Mjafton për t’i hedhur një vështrim faqes zyrtare të KOKSH për të kuptuar se çfarë po konsiderohet si arritje në këtë përfaqësim “dinjitoz”. Vendi ynë u përfaqësua në qitje me Manuela Deliajn e cila doli në vendin e 37 nga 53 rivalë në garën me pistolote me ajër, ndrësa mbajti vendin e fundit në garë, e 44, me pistoletën e zjarrit.
Në rastin e parë, KOKSH e ka cilësuar si vendosje të rekordit të ri kombëtar, ndërsa në të dytin e ka quajtur paraqitje të mirë. Kaq mjafton për të kuptuar sesi është “fytyra” e Shqipërisë në këto Lojëra Olimpike që po zhvillohen ende në Tokyo. Mbi këtë çështje ka pasur reagimin e tij edhe Glenti Nallbani që me të drejtë ngre disa pyetje dhe vendos në vend të vërtetën që KOKSH tjetërsoi.
“Qitja mbylli sot konkurrimin në lojërat Olimpike Tokio 2020. Është rezultati më i dobët i arritur në dy garat që nga koha që Shqipëria merr pjesë në lojërat olimpike. Vendi i 37 nga 53 në garën me ajër dhe vendi i fundit i 44 në garë me pistoletën e zjarrit. Më keq se kaq është reagimi i KOKSH i cili përveç se e quan “rezultat i mirë” thotë se është thyer rekord kombëtar në garën e ajrit. Kjo nuk është e vërtetë.
Rekordin e ka një tjetër sportiste qe ndoshta sot duhet të ishte ne Tokio për të përfaqësuar Shqipërinë. KOKSH shkruan se poligoni i qitjes ka qënë i mbyllur, edhe kjo e pavërtetë. Vitin e fundit janë bërë 8 gara kombëtare në Shqipëri. Tani disa pyetje konkrete. Cila ka qënë performanca e sportistes shqiptare ne garat e vitit te fundit? Mbi cilat kritere u zgjodh ajo të përfaqsonte Shqipërinë në lojërat olimpike? Pse u përzgjodh ajo për në olimpiad ndërsa bursën olimpike në vitin e fundit e përfituan sportist të tjerë?”, shkruan Nallbani. /Sport Ekspres/