Punimet për përfundimin e kompleksit “Shtëpia e Futbolllit” vazhdojnë me ritme të shpejta dhe gjithçka po merr formë dita-ditës. Aktualisht fokusi është te kompletimi i mini-stadiumeve dhe duke parë ritmin e punës pritet që një prej tyre të jetë gati brenda pak muajsh. Në një prej fushave thuajse është kryer procesi i përgatitjes së terrenit përmes drenazhimit dhe është gati për vendosjen e tapetit të ri. Të dyja mini-stadiumet do të ofrojnë kushte dinjitoze dhe moderne për të pritur stërvitje dhe ndeshje të ekipeve kombëtare, njësoj si stadiumet më të mira në vend.
Sakaq, ka përfunduar edhe pjesa e mbulimit të dy tribunave, që ofrojnë ambiente të bollshme për tifozët që do të ndjekin ndeshjet, por edhe për stafet e skuadrave. Në ambientet e brendshme të tribunës multi-funksionale, nga ku mund të ndiqen ndeshjet në të dyja fushat njëkohësisht, është projektuar të ngrihet një sallë e madhe fizioterapie në dispozicion të futbollistëve të të gjitha moshave si edhe palestër fitnesi për të pritur ekipet kombëtare të moshave. Këto ambiente do të jenë njësoj si ato të stadiumeve, me dhomat e zhveshjeve të skuadrave, dhomën e arbitrave, zyrtarëve, kontrollit anti-doping, etj.
Gjithashtu, janë montuar edhe kullat e ndriçimit për të dyja ministadiumet dhe tashmë ndriçimi është totalisht funksional. Vazhdon puna me ritme të larta edhe për kompletimin e dy fushave të tjera që do të jenë gati shumë shpejt. “Shtëpia e Futbollit” është një nga investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe është konceptuar si një kompleks modern që do të ofrojë të gjithë infrastrukturën e duhur për ekipet kombëtare të Shqipërisë.
Në këtë kompleks është edhe selia e FSHF-së, një ndërtesë moderne që ka përfunduar prej më shumë se një viti dhe është tërësisht funksionale dhe e ka kthyer Federatën e Futbollit në një institucion model. “Shtëpia e Futbollit” është vetëm një prej investimeve kyçe të FSHF-së që ka projekte të rëndësishme për të ardhmen në drejtim të infrastrukturës sportive, që do ta zhvillojë ndjeshëm cilësinë e futbollit shqiptar.