Armand Duka ka marrë në mbrojtje futbollistin e Kombëtares, Elseid Hysaj, pas momentit të vështirë që po kalon te Lacio. Ultrasit e klubit i janë vendosur kundër mbrojtësit shkodran për shkakun e këndimit të këngës “Bella Ciao”. I intervistuar nga “Radio Kiss Kiss Napoli”, kreu i FSHF është shprehur se banderola kundër Hysajt nuk ishte vepër e tifozëve të vërtetë.
“Elseid Hysaj ishte i shqetësuar, nuk është situatë e lehtë për të që ka kundër ultrasit e Lacios dhe i kanë hapur banderolë. Është e rëndësishme që të ketë mbështetjen e klubit, lojtarëve dhe opinionit sportiv. Nuk mund ta kryqëzosh Hysajn për këndimin e një kënge. Baneri i hapur kundër tij nuk është vepër e tifozëve që e duan skuadrën, nuk e bëjnë tifozët e vërtetë. E përsëris, kanë humbur llogjikën. Hysaj erdhi te Lacio për të dhënë kontributin e tij dhe këndoi një këngë italiane. Absurde për atë që ndodhi pasi nuk kishte asnjë referencë politike në video”, tha Duka. /Sport Ekspres/