Imami kishte jo pak meritë në kualifikimin e Vllaznisë në turin e dytë të Conference League. Pavarësisht se ka arritur marrëveshjen me Dinamon, futbollisti u fut në fushë dhe ishte një nga më të mirët për shkodranët, duke realizuar edhe në portën e boshnjakëve. Festimi ishte i jashtëzakonshëm me Imamin që hoqi fanellën dhe përcolli jo pak adrenalinë për ndjekësit e kësaj përballje. Futbollisti i Vllaznisë ka dhënë një intervistë për “Sport Ekspres” duke treguar gjithçka nga historia me Sirok Brijeg.
“Goli i Cobes në Bosnjë na mbajti disi në lojë pasi një gol i shpejt në Shkodër do të ndryshonte komplet ndeshjen. Kështu edhe ndodhi për fatin e mirë. Sigurisht që ndjenjën e hakmarrjes e kishim të gjithë, pa përjashtim. Mezi po e prisnim ndeshjen me Sirokin. Kur shikojmë stadiumin që ishte plot, ishte si qershia mbi tortë. Përveç meritës tonë, ndeshjen e fituan tifozët. Isha pak në presion pasi dëgjoja që thonin se kjo është ndeshja e fundit për Imamin dhe nuk do të dëmtohet, nuk do të përkushtohet, këto lloj fjalësh.
Në kokën time e kisha të qartë se çfarë duhet të bëja. Prandaj atë gol e kam festuar me shpirt dhe për t’i treguar të gjithëve që jam profesionist. Gjithçka që kam kaluar në Shkodër ka qenë shumë e mirë. E kuptoj çdo dyshim, çdo gjë, por mbaj kujtime të mira. Uroj të ecim sa më shumë, por edhe atje ku po iki është shtëpia ime, vendi që jam rritur dhe i detyrohem Dinamos. Këtë sukses që arrita me Vllaznisë dua ta përsëris atje”, tha Imami. /Sport Ekspres/