Turi i parë kualifikues për në Ligën e Konferencës është mbyllur mbrëmjen e sotme, ku janë përcaktuar të gjitha skuadrat që kalojnë në raundin tjetër. Plot 8 ekipe shqiptare kanë siguruar një biletë për në turin e dytë, i cili është bujar me disa prej tyre dhe një “ferr” i vërtetë për një pjesë tjetër.
Kështu klubet që vijnë nga Champions League, si Teuta, Shkëndija apo edhe Prishtina do të kenë përballë kundërshtarë të një vështirësie jo të lartë. Kampionët e Superiores përballen me Inter Klub D’Eskaldes nga Andorra, ndërsa Shkëndija do të ndeshet me Rigën dhe Prishtina luan shanset e saj me uellsianët e Nomads.
Një tablo krejt tjetër shfaqet për skuadrat shqiptare që vijnë në turin e dytë pas triumfit në turin e parë të Ligës së Konferencës. Partizani gjen në këtë raund Bazelin, Laçi ekipin rumin Universita Kraiova, ndërsa Vllaznia AEL Limasolin. Përpos klubeve të Kategorisë Superiore në garë janë edhe Shkupi e Drita, që respektivisht përballë do të kenë Santa Klarën (Portugali) dhe Fejnordin. Këto takime do të luhen në datat 22 dhe 29 korrik./Halit Delibashi-Sport Ekspres/