“Treguan se nuk janë rastësisht në Europë”, lojtari i Podgoricës: Nuk erdhëm me llogari në Shqipëri, tani i njohim

Laçi do të ndeshet kundër Podgoricës dhe ka misionin për të kaluar këtë rival që të vazhdojë në turin e dytë të Conference League. Kurbinasit kanë humbur me shifrat 1-0 në ndeshjen e parë pas penalltisë së shkaktuar ndaj Andjelko Jovanovic. Ekipi shqiptar i kishte mundësitë për të barazuar rezultatin teksa Mazrekaj gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshi në minutat e fundit. Por si paraqitet situata dhe çfarë mendojnë në kampin kundërshtar? Lojtari që fitoi penalltinë me Laçin, Jovanovic, ka vlerësim të lartë për kurbinasit.

“Laci tregoi se është një ekip shumë i mirë, se di të jetë i vështirë për rivalin dhe se nuk është rastësisht në skenën evropiane. Kishim më pak se një muaj për t’u përgatitur, dhe ekipi u ndryshua shumë në organikë, gjë që na rëndoi pak para Europës. Në fund, më e mira nga të gjitha ishte rezultati dhe ne jemi të kënaqur me të. Mendoj se iu përgjigjëm sfidës në mënyrën e duhur. Ne ishim të motivuar dhe është mirë që fituam, sepse çdo triumf është një plus shtesë për futbollin malazez.

Tani e njohim rivalin më mirë dhe besoj se jemi më të gatshëm se para duelit të parë. Në Elbasan, sigurisht që nuk kemi një detyrë të thjeshtë përpara, por një kundërshtar që di se çfarë dëshiron, por ne gjithashtu e dimë. Tani motivi është edhe më i madh, ne jemi 90 minuta larg kalimit në raundin tjetër dhe do të bëjmë çmos që të vazhdojmë të bëjmë rezultate të mira.

Në këtë moment, nuk ka llogaritje, as po mendojmë për rumunët për turin e dytë. Kështu u futëm në duel me Lacin. Ne luajmë me ekipin më të fortë dhe nuk kemi ardhur në Elbasan për të llogaritur dhe mbrojtur avantazhin nga Podgorica. Ne do të veprojmë sikur ndeshja e parë të përfundojë 0: 0, sepse duam të qëndrojmë në skenën evropiane”, tha Jovanovic. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *