Sot jemi njohur me çiftet që do të ndeshen në fazën e 1/8-ve në Kampionatin Europian. Kombëtaret e mëdha nuk kanë zhgënjyer dhe kanë siguruar të gjitha një biletë për rrugëtimin drejt trofeut. Italia e ka renditur veten si një prej pretendenteve kryesore për të fituar këtë kompeticion, duke joshur të gjithë opinionin sportiv me lojën e treguar në grupe.
Por tre ndeshjet e para nuk mund të quhen sprova e vërtetë për “axurrët“, teksa niveli i kundërshtarëve nuk ka qenë më i larti i mundshëm. Austria do të jetë nxehja e fundit për djemtë e Mançinit përpara se të nisë Europiani i vërtetë për ta.
Nëse pengesa e parë kalohet me sukses, atëherë Italia duhet të përgatitet për një rrugë “ferri” drejt finales. Në çerekfinale e pret një kundërshtar mes Portugalisë dhe Belgjikës, ndërsa në gjysmëfinale nëse nuk do të ketë surpriza do të duhet të përballet me Francën ose Spanjën. Ndërkohë rivalët më të vështirë që mund të hasë në finish, janë Gjermania, Anglia ose Holanda. E në fund një gjë është e sigurt, nëse “axurrët” ngrenë në qiellin e Londrës trofeun e Euro 2020, gjithçka do të jetë e merituar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/