Pas shtyrjes një vjeçare sot do të nisë Kampionati Europian i futbollit. Ndeshja hapëse luhet në “Olimpiko” të Romës, ku Italia vihet përballë Turqisë. Në një intërvistë për “Tuttosport”, Xhani De Biazi vendos të ndihmojë Kombëtaren e tij duke zbuluar për “axurrët” pikat e forta dhe ato të dobëta të Turqisë.
“Është një ekip që ka lojtarë me përvojë ndërkombëtare. Ata fituan kampionatin francez me Lille, ndërsa ne të gjithë e njohim Calhanoglu. Ata më bënë një përshtypje të madhe, sigurisht që Yilmaz është udhëheqësi absolut. Mesfushorët Yokuslu dhe Tufan janë shpirtrat e ekipi.
Në mbrojtje ata nuk janë të fortë. Duket e çuditshme, por nuk më bënin përshtypje. Demiral nuk është në momentin e tij më të mirë, ndërsa Soyuncu po paguan për sezonin e gjatë me Leicester. Në hapësirat e hapura ai mund të futet në telashe”, ka thënë De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/