Visar Bekaj ishte gjetja ideale e Tiranës për t’u vendosur si portieri i parë i kryeqytetasve. Besimi i është shpërblyer drejtuesëve dhe Bekaj ka dëshmuar edhe njëherë tjetër nivelin e lartë. Gjithashtu gardianit i është dhënë mundësia për të debutuar me fanellën e Kosovës. Në intervistën e fundit që ka dhënë për “Telegrafi”, Bekaj është shprehur se dëshiron largimin nga Tirana për të shkuar në një ekip të Zvicrës, Belgjikës ose Holandës.
“Krenar që arrita të luaj me Kosovën në ndeshje zyrtare. Ndeshja më shkoi mirë personalisht dhe gjithë si ekip. Jam i kënaqur dhe mendoj se do kem edhe mundësi të tjera. Nuk e besova se nga debutues do merrja edhe shiritin e kapitenit. Nuk e besova, veçse kur pashë se isha unë më i vjetri në skuadër atë ndeshje.
Togo është kundërshtar i fortë, por them se do ja dalim t’i mundim. Këtu janë djem shumë të mirë, të përkushtuar, po japim të gjitha maksimumin dhe jemi mirë. Te Tirana për mua ka qenë sezon shumë i mirë, por jo për ekipin në përgjithësi.
E kam pasur të lehtë të ambientohem, më kanë pritur shumë mirë, ndihem shumë mirë. Kam kontratë edhe dy vite me Tiranën, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në lidhje me një largim jashtë vendit. Ka fjalë, por ende diçka konkrete. Shpresoj të largohem në një ekip si Zvicra, Belgjika, Holanda, ku mund të arrijmë të ambientohemi më shpejt”, u shpreh Bekaj. /Sport Ekspres/