Te Vllaznia ekziston çështja Brdaric që po mban peng të ardhmen e ekipit sa i përket sezonit të ardhshëm. Drejtuesit kanë zyrtarizuar zgjatjen e kontratës për ndihmësin e trajnerit gjerman, Elvis Plorin, por nuk e kanë bërë ende këtë gjë me Brdariç. Ku qëndron problemi? Në lidhje me temën në fjalë ka folur ish-futbollisti Uliks Kotrri, që ka rolin e menaxherit të Brdariç dhe ishte njeriu që e solli në gushtin e kaluar. Në emision “Dribling”, Kotrri u shpreh se trajner ka ende paga pa marrë, por Vllazninë e ka si zgjedhje të parë.
“Janë disa kërkesa që i kanë ardhur trajnerit. Vllaznia është në krye për Brdaric, pret që të mbyll kontratën e vjetër. Ka 2 paga pa marrë dhe shpërblimin e Kupës. Kam folur me Xhaferin, nesër ose pasnesër do ulemi dhe të flasim për të ardhmen. Brdaric i pëlqen Shkodra dhe tifozët për të vazhduar kontratën. Trajneri kërkon rritje rroge dhe e meriton. Nuk po kërkon lekë nga xhepi i askujt, por ato që ka fituar vetë”, tha Kotrri sipas raportimit të marrë nga “Shkodra Sport”. /Sport Ekspres/