Kombëtarja shqiptare e 21 vjeçarëve po vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet që do të zhvillojë në transfertë në muajin qershor. Fillimisht, kuqezinjtë do të përballen me Andorrën, për të zhvilluar ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, më 4 qershor ndërsa katër ditë më vonë, më 8 qershor, skuadra e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Bullgarinë, në një ndeshje miqësore.
Ditën e sotme, dy futbollistët e Kombëtares kuqezi, Mark Bushaj dhe Armando Dobra kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat ku kanë folur lidhur me dy sfidat që kuqezinjtë do të zhvillojnë.
Mark Bushaj, futbollisti shqiptar që luan në Kroaci nuk e fsheh kënaqësinë e të qenit pjesë e këtij grumbullimi dhe Kombëtares, ndërsa thekson se ndaj Andorrës synohen vetëm tre pikët.
Ftesa nga Kombëtarja- U ndjeva shumë mirë, shokët e Kombëtares më kanë pritur shumë mirë. Familja u gëzua shumë. Çdo futbollist e ka ëndërr të ftohet nga Kombëtarja, një nga ata jam edhe unë.
Andorra? – Po stërvitemi mirë dhe po shkojmë aty për fitore. Andorra është një skuadër që rri mbrapa dhe ne do sulmojmë dhe do luftojmë për t’i marrë tre pikët.
E ardhmja – Planet e mia janë të qëndroj në Hajduk Split, për ekipin e parë.
Talenti shqiptar i ekipit anglez të Ipswich, Armando Dobra shprehet se ekipi aktual i kuqezinjve është shumë i fortë, teksa shprehet se objektivi i skuadrës është vendi i parë ose i dytë në grup. Sa i përket objektivave personalë, ai thekson se synon të luajë me ekipin e parë në Ipsëich.
Gjendja e skuadrës – Ekipi është i fortë, kanë ardhur disa lojtarë të rinj, pasi një pjesë kanë shkuar te Kombëtarja A. Janë shumë lojtarë të mirë, kemi një ekip të fortë.
Objektivat e ekipit – Shpresoj të dalim në vend të parë, por Anglia është ekip shumë i fortë, por objektivi ynë është të dalim të parët ose të dytët në grup.
Lojtarët e rinj – Kemi qenë në Kombëtare edhe në ndeshjet e kaluara dhe kemi pak më shumë eksperiencë se lojtarët e tjerë dhe mund t’i ndihmojmë lojtarët e rinj që kanë ardhur për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për t’i sjellë në grup e t’i themi që ashtu si ne luftojmë për ekipin, ashtu do të luftoni edhe ju.
E ardhmja – Objektivi im është të luaj me ekipin e parë në Ipswich.